Ndoshta është për tu çuditur, por është e vërtetë. Hazreti Osmani, shoku i profetit Muhamed a.s dhe kalifi i tretë i drejtë, ka një llogari bankare në Arabinë Saudite, edhe faturat mujore të energjisë diellore paguhet në emrin e tij. Kjo gjë e ka origjinën që në kohën e profetit Muhamed a.s, në Medinen e bekuar dhe plot dritë. Atje ky myslimanët vuanin për pikën e ujit. Myslimanët mekas, ishin mësuar me ujin e Zemzemit, ndërkohë që uji i Medines nuk u përshtatej fare. Në pikë të hallit, ata i vajtën profetit Muhamed a.s dhe i qanë hallin. Dikush, i tha që pusi Rumije në Medine, ka shijen e ujit të Zemzemit, por ai është në pronësinë e një çifuti, i cili ujin e pusit e shiste me para. Profeti Muhamed a.s i çoi fjalë këtij çifuti dhe i kërkoi që këtë pus t’ua shiste myslimanëve, por ai refuzoi, me pretekstin se uji i këtij pusi i sillte të ardhura të konsiderueshme. Kur Osman ibnu Affani dëgjoi për këtë, vajti tek çifuti, pronari i pusit dhe i ofroi t’ai blejë pusin. Sërish çifuti refuzoi dhe Osmani i tha:”Mirë, ma shit pusin dhe një ditë të mbushin ujë myslimanët, një ditë përdore ti për nevojat e tua.” Kjo i pëlqeu çifutit dhe e shiti pusin me këtë kusht. Pas kësaj marrëveshjeje, të gjithë njerëzit mbushnin ujë dhe i plotësonin nevojat e tyre ditën kur kishin për të mbushur myslimanët, ndërkohë që ditën tjetër as që dukeshin fare tek pusi.
Duke ndjerë falimentimin, çifuti i kërkoi hazreti Osmanit që t’ia shesë dhe ditën tjetër me njëzet mijë dërhemë. Osmani pranoi dhe pusin e la vakëf për myslimanët, për hatër të Zotit dhe të profetit Muhamed a.s. Disa vite më vonë, njëri nga myslimanët i ofroi dyfishin e shumës me të cilën Osmani e kishte blerë pusin, por ai i tha:”Më kanë ofruar më shumë dhe nuk ta shes dot.” Myslimani i tha:”Të jap trefishin atëherë.” Osmani iu përgjigj:”Më kanë dhënë më shumë dhe nuk ta jap dot.” Pazari filloi të rritej, derisa myslimani i ofroi nëntëfishin e shumës me të cilën e kishte blerë, por Osmani ia ktheu:”Më kanë dhënë më shumë.” I çuditur, myslimani e pyeti:”E kush të paska dhënë më shumë dhe sa të ka dhënë?!” Osmani iu përgjigj:”Zoti, ma ka blerë një të mirë me dhjetë fishin e saj.” Me kalimin e viteve, përreth pusit filluan të mbijnë palma. Gjatë Perandorisë Osmane, iu kushtua kujdes kësaj toke dhe palmave. Ky kujdes vazhdoi edhe me themelimin e shtetit saudit, saqë numri i palmave arriti në 1550. Ministria e vakëfeve, i shiste hurmat e këtij plantacioni dhe të ardhurat, gjysmat ua shpërndante jetimëve dhe fukarenjve, kurse gjysmën tjetër e vendoste në një llogari bankare në emër të Osman ibnu Affanit, të cilin e menaxhonte kjo ministri. Kur llogaria në bankë u shtua aq sa për të blerë një truall, ministria e vakëfit bleu një tokë pranë xhamisë së Profetit a.s, mbi të cilin ndërtoi një hotel të madh. Hoteli do i jepet me qera një kompanie hotelierie pesë yjesh dhe pritet që të ardhurat prej tij të jenë 50 milionë rijalë saudit, ku gjysma do u shkojë sërish jetimëve dhe fukarenjve, kurse gjysma tjetër do të shkojë në llogarinë bankare që është hapur me emrin e hazreti Osmanit. Edhe toka e blerë, është regjistruar në kadastër me emrin e Osman ibnu Affanit, Zoti e mëshiroftë.
0 comments:
Post a Comment