Showing posts with label fetare. Show all posts
Showing posts with label fetare. Show all posts

Thursday, February 20, 2014

A lejohet të rriten thonjët?

Pyetja:
Kam një pyetje rreth thonjve. Kam një motër e cila elhamdulilah e fal namazin, mirëpo ka dëshirë të rrisë thonjtë. Më ka pyetur rreth tyre, por nuk dita t’i tregoja për ndalimin e tyre me argumente. A mund të na jepni disa argumente rreth ndalesës së tyre?
Selamu alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Pa dyshim, Islami i jep rëndësi të madhe mbajtjes së pastërtisë dhe për ta kuptuar këtë nuk ka nevojë për ndonjë mund të madh; shumë dispozita me të cilat urdhërohet muslimani synojnë mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj pastërtisë, sikurse: gusuli (larja), abdesti, pastrimi i dhëmbëve, shpëlarja e hundës, mënjanimi i qimeve nga pjesët intime, bërja synet për meshkuj, etj. Në këto dispozita bën pjesë edhe prerja e thonjve, pasi ky është një veprim me të cilën janë urdhëruar muslimanët dhe konsiderohet prej natyrshmërisë së pastër të njeriut. Për të kuptuar më drejt se çfarë dispozite kanë shkurtimi i thonjve në Islam, do të sjellim dy hadithe:
1. Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë:
“Pesë sende janë nga natyra e fitres (natyrshmërisë së pastër):
1. Pastrimi i vendeve të turpshme (mënjanimi i qimeve),
2. Bërja synet (rrethprerja),
3. Shkurtimi i mustaqeve,
4. Mënjanimi i qimeve nga nënsqetullat,
5. Shkurtimi i thonjve1.”
2. Transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë:
“Dhjetë gjëra janë prej fitres:
1. Shkurtimi i mustaqeve,
2. Lëshimi i mjekrës,
3. Përdorimi i misvakut
4. Larja e hundës me ujë,
5. Pastrimi i pjesës ndërmjet gishtërinjve,
6. Prerja e thonjve,
7. Shkulja e qimeve nga sqetullat,
8. Mënjanimi i qimeve nga vendet e turpshme,
9. Pastrimi me ujë pas kryerjes së nevojës së madhe.”
Transmetuesi e ka harruar të dhjetën, por ai thotë se ka mundësi të jetë shpëlarja e gojës.2
Këto dy hadithe sqarojnë mjaft mirë rëndësinë e prerjes së thonjve, pasi në to vihet në pah se ky veprim së bashku me të tjerat përputhet me natyrshmërinë e pastër të njeriut.
Nuk mendoj se ka nevojë të flasim shumë për dëmin e rritjes së thonjve, pasi kjo është e kuptueshme, por fatkeqësisht qasja e njerëzve ndaj këtij veprimi dhe trajtimi i tij si formë zbukurimi për femra na bën që t`i themi disa realitete për të sqaruar se sa është e paqëlluar të konsiderohet zbukurim kjo praktikë.  Në vitin 1986 është mbajtur Seminari i Katërt Botëror i Mjekësisë Islame në Kuvajt. Aty është përgatitur një studim nga dr. Jahja Havaxhi dhe dr. Ahmed Abdul Ahir, në të cilin është argumentuar se zgjatja e thonjve nuk përkon me realitetin e zbukurimit të femrës ashtu si mund të pretendohet në disa shoqëri dhe vende në kohën bashkëkohore. Në vazhdim do të sjellim disa njohuri që janë përmendur në këtë studim.
Dëmet e rritjes së thonjve
-Dobia e thonjve është që t`i mbrojnë majat e gishtërinjve dhe të rrisin efektivitetin e tyre gjatë prekjes dhe kontaktit me gjërat. Pjesa e rritur e thoit, e cila tejkalon gishtin, është e padobishme dhe nuk ka kurrfarë vlere, madje kjo është e dëmshme në shumë aspekte, disa nga të cilat do të përmenden në pikat e mëposhtme.
-Kur zgjaten thonjtë, krijohen hapësira poshtë tyre dhe këto janë vende shumë të përshtatshme për t`u grumbulluar ndyrësirat, mikrobet dhe parazitët e ndryshëm që shkaktojnë sëmundje. Por jo vetëm kjo, ato vende janë shumë të përshtatshme që të shërbejnë edhe si inkubatorë për baktere të ndryshme dhe pastaj të përcillen sëmundje të ndryshme te personat me të cilët ka kontakt njeriu që zgjat thonjtë.
-Thonjtë e zgjatur pamundësojnë apo vështirësojnë kryerjen e shumë punëve, të cilat janë përditshmëri për secilin njeri, si kapja dhe prekja e gjërave, në punët shtëpiake; femrat posaçërisht ballafaqohen me probleme të shumta gjatë kryerjes së përditshmërive shtëpiake.
-Ato janë të dëmshme edhe në raport me të tjerët, pasi u ngjasojnë kthetrave dhe gjatë lëvizjeve të shpejta të pakontrolluara mund ta lëndojnë dikë. Nuk është larg këtij rreziku edhe vetë personi që i zgjat thonjtë.
-Rritja e thonjve shkakton dëme edhe te thonjtë, sikurse thyerja dhe çarja e tyre kur kanë kontakte me objekte të ngurta. Pastaj si shkak i rritjes së thonjve ato mund të trashen dhe ta ndryshojnë formën dhe dëme të tjera.
Motër e nderuar, kjo ishte ajo që arritëm të sjellim në lidhje me pyetjen tuaj. Lusim Allahun e Lartësuar që të na i hapë zemrat dhe t`i shohim gjërat ashtu si janë në të vërtetë dhe të mos mashtrohemi me atë që na shërbehet nga të tjerët me ambalazhe tërheqëse, ashtu siç është duke ndodhur edhe në lidhje me këtë praktikë.
Alaudin Abazi

Sa është mesatarja e jetës së njeriut?

Pyetja:
Es selamu alejkum ue rahmetullah!
Sa është mesatarja e jetës së njeriut?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Në një hadith nga Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thuhet: “Jeta e umetit tim është mes të gjashtëdhjetave dhe të shtatëdhjetave, kurse një pakicë do ta kalojë këtë kufi.” Shënon Tirmidhiu.
Prandaj themi se kjo është mesatarja e jetës së njerëzve tani.
Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi

Friday, January 31, 2014

Lutjet e Mëngjesit dhe Të Mbrëmjes

Asbahna ve asbaha el-Mulku lil-lah vel-hamdulil-lah la Ilahe il-lAll-llahu vahdehu la sherike leh, lehul-mulku ve lehul-hamdu ve Huve ala kul-li shejin kadir. Rabbi es’eluke-l-hajre ma fi hadhel-jevmi ve hajre ma badehu ve eudhu bike min sherri ma fi hadhel-jevmi ve sherri ma badehu.Rabbi eudhu bike minel-keseli ve su’il-kiber.Rabbi eudhu bike min adhabin fin-nar ve adhabin fil-kabr.
Shqip: E arritëm mëngjesin; e gjithë pasuria i takon All-llahut; falënderimi është për All-llahun, nuk ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut, i Cili është një dhe i pashoq; Atij i takon sundimi dhe falënderimi; Ai mbi çdo send është i plotfuqishëm. O Zot, prej Teje kërkoj mbarësinë (të mirën) e kësaj dite dhe të ditëve të tjera dhe prej Teje kërkoj mbrojtjen nga e liga e kësaj dite dhe ditëve të tjera. O Zot, kërkoj mbrojtjen Tënde nga përtacia dhe mendjemadhësia. O Zot, më mbro nga dënimi i Xhehennemit dhe nga dënimi i varrit.
Ndërsa kur errsohej thoshte:Rabbi es’eluke hajre ma fi hadhihil-lejleti ue ma badeha, ue eudhu bike min sherri hadhihil-lejleti ue sherri ma badeha
Shqip: O Zot prej teje kërkoi hajrin e kësaj nate dhe të netëve të tjra,dhe prej teje kërkoi mbrojtje nga e keqja e kësaj nate dhe e të netëve tjera.
Kjo është Lutja në Mëngjes:
All-llahume bike esbahna ve bike emsejna ve bike nahja ve bike nemutu ve ilejken-nushur. 
Shqip: O Zot im, me emrin Tënd e arrijmë mëngjesin dhe me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen, me emrin Tënd ‎ngjallemi dhe me emrin Tënd vdesim dhe te Ti është kthimi.
Në Mbremje themi:
All-llahume bike nahja ue bike nemutu ue ilejkel-mesir.
Shqip: O Zot me emrin tënd e mbrrimë mbrëmjen dhe me emrin tënd e mbrrijmë mëngjesin,Me emrin tënd ngjallemi edhe me emrin tënd vdesum dhe te ti do të tubohemi ditën e gjykimit.
All-llahume ente Rabbi la Ilahe il-la ente halakteni ve ene abduke ve ene ala ahdike ve vadike mestetatu eudhu bike min sherri na sanatu eb’u leke bi nimetike aleje ve eb’u bi dhenbi fagfir li fe innehu la jagfirudh-dhunube il-la Ente. 
Shqip: O All-llah, ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje; Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt, do të qëndroj besnik ndaj marrëveshjes dhe premtimit Tënd, sa të kem mundësi; Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar, Unë jam mirënjohës ndaj dhuntive Tua, i pranoj mëkatet e mia, andaj më fal, ngase mëkatet nuk i fal askush tjetër përveç Teje.
All-llahumme inni asbahtu ush-hiduke, ve ush-hidu hamelete Arshike ve Melaiketeke ve xhemia halkike, Enneke EnteAll-llahu la Ilahe il-la Ente vahdeke la sherike Lek, ve enne Muhammeden abduke ve resuluke.
Shqip: O Zoti im, u gdhiva, dëshmoj për Ty dhe mbajtësit e Arshit Tënd, melaiket Tua dhe të gjitha krijesat Tua, se vërtetë Ti je All-llahu i Vetëm, s`ka të adhuruar tjetër përveç Teje, Ti je i Vetëm dhe i pashoq dhe dëshmoj se Muhammedi alejhis-selam është rob dhe i dërguar i Yt.
Ndërsa në mbrëmje e thot:All-llahu inni emsei-tu ush-hiduke, ve ush-hidu hamelete Arshike ve Melaiketeke ve xhemia halkike, Enneke EnteAll-llahu la Ilahe il-la Ente vahdeke la sherike Lek, ve enne Muhammeden abduke ve resuluke.
Shqip: O Zoti im, arrita mbrëmjen, dëshmoj për Ty dhe mbajtësit e Arshit Tënd, melaiket Tua dhe të gjitha krijesat Tua, se vërtetë Ti je All-llahu i Vetëm, s`ka të adhuruar tjetër përveç Teje, Ti je i Vetëm dhe i pashoq dhe dëshmoj se Muhammedi alejhis-selam është rob dhe i dërguar i Yt.
Pejgamberi a.s ka thënë: Kush e thot këtë në mbrëmje i bindur në të dhe vdes atë natë do të jetë prej banorëve të Xhenetit.
Kjo lutje thuhet nga 4 here në mëngjes dhe Mbrëmje.
All-llahume ma asbaha bi min nimetin ev bi ehadin min halkike, fe minke vahdeke la sherike lek, fe lekel-hamdu ve lekesh-shukru.
Shqip: O Zoti im, ajo që më është dhënë mua apo ndonjërit prej krijesave Tua nga begatitë e tëra është vetëm nga Ti që Je i pashoq; Ty të qoftë lavdërimi dhe falënderimi.
All-llahume afini fi bedeni, All-llahume afini fi semi, All-llahume afini fi besari, la ilahe il-la ente, eudhu bike minel-kufri vel-fakri, ve eudhu bike min adhabil-kabr, la ilahe il-la ente (3 herë në mëngjesë)
Shqip: O Zoti im, më jep shëndet në trupin tim, O Zoti im, më jep shëndet në të dëgjuarit tim, O Zoti im, më jep shëndet në të pamurit tim. S’ka të adhuruar tjetër përveç Teje. O Zoti im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga kufri (mosbesimi) e varfëria dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga dënimi i varrit. S’ka të adhuruar tjetër përveç Teje.

Sunday, January 26, 2014

A i lejohet femrës muslimane të heqë qimet e fytyrës dhe t'i ngjyrosë flokët?

Pyetja:
A i lejohet femrës muslimane të heq qimet e fytyrës, gjë që e bëjnë vajzat para martesës. A lejohet ngjyrosja e flokëve dhe me çfarë ngjyre, nëse po, dhe a lejohet të bëhet shatirimi, e nëse në këtë proces ka diçka që duhet të sqarohet, për hirë të Allahut me sqaroni.
Përgjigja:
Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
I lejohet femrës muslimane heqja e qimeve nga fytyra përveç vetullave. Për shkak se Profeti (bekimi dhe paqja qofshin mbi te), siq transmeton Buhariu, i ka mallkuar ato që i heqin apo i rrallojnë vetullat. Pra heqja apo shkulja e vetullave është ajo që është mëkat për femren, kurse heqja e qimeve tjera lejohet. Allahu e di më së miri.
Lejohet ngjyrosja e flokëve me çfardo ngjyre që dëshiron, përveç ngjyrës së zezë, për arsye se Profeti ka ndaluar ngjyrosjen me të (ngjyrë të zezë), siq transmeton Muslimi dhe të tjerët. Disa dijetarë, gjithashtu nuk kanë pëlqyer  ngjyrosjen e flokëve me ngjyra jonatyrore si të kaltër apo të gjelbër apo ndonjë ngjyrë tjetër që nuk është normale.
Sa i përket shatirimit të flokëve apo ngjyrosjes së flokëve me dy apo më shumë ngjyra nuk është  e ndaluar, për shkak se ndalesa ka ardhë në ngjyrosjën vetëm me ngjyrë  të zezë, mirpo duhet të kemi parasysh edhe atë se muslimanit, qoftë femër apo mahkull i ndalohet ngjasimi me pabesimtarët, prandaj nëse qëllimi është kjo ngjasimi i jobesimtarëve, atëherë ajo kalon në harram.
Alaudin Abazi

Wednesday, January 22, 2014

A lejohet të studiohet psikologjia?

Pyetje: Jam maturante dhe dëshiroj të studioj InshaAllah mirëpo kam problem në zgjedhjen e drejtimit, andaj a lejohet të studiohet psikologjia?
Përgjigje: Motër e nderuar, sa i përket drejtimit të psikologjisë duhet të kihet parasysh se psikologjia merret me studimin e gjërave shpirtërore dhe është prej lëndëve filozofike, të cilat në përgjithësi në dituritë islame i kanë zëvendësimet adekuate të tyre. Kjo gjë nënkupton se të praktikuarit e atyre njohurive që nxirren nga studimi i këtyre drejtimeve nuk lejohet për shkak se në mënyrë të tërthortë nënkupton të refuzohen shkencat islame dhe praktikat e tyre, që janë obligim për muslimanin, dhe në bazë të konsideratës dhe praktikës së tyre ai shpërblehet në dynja dhe ahiret. Sa i përket njohurive rreth shpirtit, Allahu qartë ka treguar, ku thotë:
“Do të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”.” (Isra’, 85)
Në drejtimin e psikologjisë mësohen shumë gjëra në të kundërtën e mësimeve islame, mësohet dhe pretendohet të dihet shumë rreth çështjeve më të ndërlikuara, për të cilat nëse nuk ke njohuri nga shpallja hyjnore, nuk ke nga kush t’i arrish ato njohuri, ndërkohë që ne jemi të obliguar t’i respektojmë parimet islame, e jo ideologjitë, përvojat dhe praktikat e krijesave respektivisht njerëzve. Allahu në Kur’an thotë:“A nuk i ke parë ti (o Muhamed!) ata (hipokritë) që pohojnë se kanë besuar në atë që të është shpallur ty dhe profetëve të tjerë para teje? Ata kërkojnë gjykimin e zotave të rremë, ndërkohë që janë urdhëruar t’i mohojnë ato. Djalli dëshiron që t’i nxjerrë ata krejtësisht nga udha e drejtë.” (Nisa’, 60)
Lexoji këto me vëmendje ajete ku Allahu thotë:
“Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushje të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni te Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti. Prandaj gjykoji sipas asaj që të ka shpallur Allahu e mos ndiq dëshirat e tyre të kota! Ki kujdes që ata mos të të nxisin të largohesh nga një pjesë e asaj që të ka shpallur Allahu! Nëse ata të kthejnë kurrizin e nuk dëgjojnë gjykimin tënd, atëherë ta dish se Allahu do vetëm që t’i dënojë për disa gjynahe të tyre. Në të vërtetë, shumë njerëz janë të pabindur.” (Maide, 48 dhe 49)
Në anën tjetër, ka disa dobi që mund të arrihen nga studimi i psikologjisë. Njohuri që e pasurojnë diapazonin e njohurive të njeriut pozitivisht, si dhe njohuri negative, të cilat mësohen për tu ruajtur prej tyre, pra studiohet për qëllim kritik. Nga kjo rezulton se dikush është mirë që ta studiojë këtë shkencë shoqërore. Mirëpo për ta ditur se kush është ai që mund ta studiojë, duhet të kemi ndonjë kriter të qartë. Në këtë rast kriteri, që lejon studimin e kësaj shkence dhe shkencave tjera simotra, është njohuria e mjaftueshme e shkencave islame, të cilat njohuri i ka bazë për vete, kurse psikologjinë do ta studionte për ta parë se çfarë thotë ajo lidhur me ato tema të caktuara, e jo për ta marrë ndihmën e parë apo bazat e njohurisë lidhur me ato tema që i studion psikologjia.
Ju personalisht mund ta dini për vete se ju lejohet apo jo ta studioni psikologjinë.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku

Si duhet të veprohet kur aborton në javën e tetë ose dhjetë?

Pyetje: Me intereson të di cfarë bëhet me fëmijët që vdesin gjatështatëzenisë, saktësisht  në javën e tetë ose dhjetë..
Cfare thotë islami për këtë, dhe si duhet të veprohet kur këto abortohen.
Përgjigje:Muhamedi alejhi selam ka thënë:
“Vërtet çdonjëri nga ju formohet në përbrendësen e nënës së tij katërdhjetë ditë si pikë (nutfetun), pastaj bëhet e varur (alekatun) ngjashëm me këtë periodë, pastaj, bëhet copë mishi ngjashëm me këtë periodë, pastaj i dërgohet meleku dhe e frymëzon në të shpirtin (ruh).” (Buhariu dhe Muslimi)
Duhet pasur parasysh se shpirti i vjen pas 120 ditëve. Ndërsa zakonisht në muajin e tretë fillon të qartësohet forma e njeriut apo prej ditës 81.
Keni parasysh këto udhëzime:
Sheriati ndalon abortin pas 120 ditëve, kjo mund të lejohet vetëm në raste ekstreme kur nënës i rrezikohet shëndeti.
Kurse para se ti vijë shpirti kemi një polemik në mesin e dijetarëve, ku me këtë rast nuk kemi kohë për detaje.
Në rastin e pyetjes suaj shumica e dijetarëve kanë thënë: në qoftë se para katër muajve ndodhë aborti atëherë nuk kemi të bëjmë me larjen dhe faljen e xhenazes dhe ajo pjesë e abortuar varroset kudo që jepet mundësia. (sepse në përbrendësen e nënës mundë të jetë nutfe apo aleka ose cop mishi.)
Kur ndodh aborti në fazën e katërdhjet ditëve të para si nutfe  ose aleka, gruaja e fal namazin por vetëm e pengon gjakderdhjen. Gjithashtu edhe agjërimin e vazhdon, po ashtu edhe lejohen mardhëniet intime. Gjithashtu dijetarët kanë thënë (një pjesë e tyre) gruaja për shkak vetëm të gjakderdhjes nuk ka nevojë të marr abdes për çdo namaz.
Nëse aborton pasi që janë mbushur 80 ditë, gruaja duhet të shikoj në “mudga” në copën e mishit, dhe të pyes mjekun kjo pjesë e mishit a ka filluar të formësohet (të dallohet këmba, dora)!
Nëse nuk dallohet krijesa njeri as dora, këmba, koka, atëherë për gruan vlejnë këto dispozita:
Fal namaz, agjëron, kryen mardhënie intime, nuk është e detyruar të marr abdes për çdo namaz (vetëm nëse kryen nevoj, urinon, gazra etj..)
Por nëse “mudga” copa e mishit ka filluar të formësohet po edhe nëse vetëm pak vërehet dora, këmba, koka, atëherë në këtë rast gruaja i përmbahet rregullave të nifasit:
Nuk fal namaz, nuk agjëron, nuk lejohen mardhëniet intime derisa të ndërpritet gjakderdhja (në ditën e 40).
Gjithashtu janë edhe disa rregulla tjera për ato nuk kanë të bëjnë njëherit me pyetjen tuaj.
Allahu e di më së miri!
Ulvi Fejzullahu

Tuesday, January 21, 2014

Pse është haram ngrënia e mishit të derrit?

Padyshim se çdo gjë që e lejon Allahu është e mirë, çdo gjë që e obligon është e dobishme, por duhet ditur se çdo gjë që e ndalon është në dëm të pashmangshëm të njeriut.Urtësia e ndalimit të konsumimit të mishit të derrit dhe produkteve të tij mund të thuhet se përmendet në vet ajetet kur’anore, të cilat ligjësojnë ndalimin e derrit. Allahu thotë: “Thuaj: “Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua, asgjë që e ndalon njeriun të hajë çfarë të dojë, përveç kafshëve të ngordhura, gjakut të derdhur, mishit të derrit, sepse ky është i ndytë, dhe mishit që është therur në emër të dikujt tjetër në vend të Allahut.” (En’amë, 145)
Pra vërehet qartë në ajet se përse derri na qenka ndaluar. Por megjithatë do të përmendim me këtë rast disa nga të dhënat shkencore lidhur me përmbajtjen e mishit të derrit dhe sëmundjeve që mund të dalin si rezultat i konsumimit të produkteve të tij.
1. Përmban parazitar, të cilët kanë krimbat spiral.
2. Shkakton sëmundje bakteriale,
3. Shkakton sëmundje mikrobatike,
4. Shkakton sëmundje virusale.
5. Shkakton rritje të acideve të dëmshme në gjak etj.
Allahu po ashtu thotë: “Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.”  (A’rafë, 157) Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku

Pse është haram pirja e alkoolit?

Padyshim se të mirat dhe të dobishmet Allahu nuk i ka ndaluar.
Njeri si krijesë e çmuar dhe e dalluar e Allahut ndryshon nga krijesat e tjera me shumë gjëra, por ajo që e bën atë të ketë tretman të veçantë nga Allahu është logjika dhe arsyeja që e posedon. Si i tillë është mëkëmbës i Allahut në tokë. Kurdo që njeriu e humb arsyen, shndërrohet në një krijesë tjetër, që nuk i përngjanë më vetes si krijesë, aq sa i përngjanë kafshëve. Pra mbetet si krijesë biologjike që ha e pi dhe nuk di pse jeton.
Allahu jo vetëm që njeriun e nderoi me mendje, por i kushtoi rëndësi të veçantë ruajtjes së mendjes në të gjitha mënyrat. S’ka dyshim se dehja me pije alkoolike është në kundërshtim të drejtpërdrejt me ligjet e Allahut në natyrë.
Konsumimi i alkoolit çon te mbulimi i mendjes me ç’rast njeriu nuk është në gjendje ta kontrollojë vetveten dhe të dijë se çka vepron. Në gjendjen e tillë mund ta vrasë dikë, ta shajë, ta keqtrajtojë, ta plaçkitë, ta prek nderin e huaj, ta prek pasurinë e huaj etj.
Për të mos ardhur deri tek këto rreziqe, Allahu ia ka ndaluar njeriut rreptësisht që ta mbajë, ta shesë, ta shërbejë, ta prodhojë, ta stimulojë e sidomos ta konsumojë alkoolin.
Allahu thotë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë? (Maide, 90)
Allahu I Madhërishëm e ka ndaluar alkoolin si masë preventive për ta ruajtur mendjen e njeriut dhe qetësinë në shoqëri.
Në anën tjetër, dëmet e alkoolit në aspektin shëndetësor janë aq të shumta sa që nuk gjen askund asnjë institucion apo institut mjekësor që flet fjalë të mira apo të favorshme për alkoolin dhe konsumuesit e tij. Ndoshta e gjithë bota vuan prej tij dhe e limiton konsumimin e tij thuajse në të gjitha mënyrat, por u mungon shprehja islame “haram” në çdo kohë dhe në çdo vend.
Sido që të jetë, për alkoolin më së lehti është ta dimë arsyen e ndalimit sepse njeriun më të afërt dhe më të dashur të familjes, që është i çmendur detyrohemi ta lëvizim nga gjiri familjar drejt ndonjë qendre rehabilituese. A thua vallë, çka me ata që veprojnë për humbjen e qëllimshme të mendjes, qoftë edhe në interval të shkurtër! Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku 

A është haram bartja e hajmalive dhe gurësve të kaltër për mësysh?

A është e vërtetë kjo dhe a ka bazë në Islam? Gjithashtu desha t’ju pyes se a është haram bartja e atyre syve të vegjël të kaltër dhe hajmalive të zeza me gjasë për të mos i marrë mësysh foshnjat?
Përgjigje:
Bartja e gurësve të kaltër apo hajmalive, për t’i mbrojtur fëmijët nga mësyshi, jo vetëm se nuk ka bazë, por madje është haram dhe është mbështetje jo në Allahun, që nënkupton se veprimi i tillë çon deri në mëkatin më të madh të mundshëm shirkun. Prandaj duhet hequr dorë nga besëtytnitë dhe duhet qasur besimit të drejtë. Mbrojtja më e mirë nga mësyshi është t’i lexohen fëmijës suret “El-Felek” dhe “En-Nas”.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku

Monday, January 20, 2014

A është fati përcaktim nga Allahu apo ne duhet vet t’i prijmë fatit?

Unë e dua një djalë shumë, edhe ai më do mua. Nuk jemi në lidhje por kam dëshirë ta di se a është fati përcaktim nga Allahu apo ne duhet vet t’i prijmë fatit… Ju lutem, më ndihmoni rreth kësaj çështjeje!
Përgjigje:
Padyshim se gjithë çka ka në tokë dhe në qiej, dhe gjithë çka zhvillohet në këtë kozmos është me përcaktimin paraprak të Allahut. Këtu patjetër përfshihet edhe caktimi paraprak i Allahut për çiftet bashkëshortore. Por pasi ne nuk e dimë Kaderin e Allahut dhe ai është vetëm në dijen e Tij, për ne mbeten ligjet e dynjasë për të punuar. Kështu ne do të shpërblehemi dhe ndëshkohemi në bazë të përcaktimeve tona karshi të mirave dhe të këqijave.
Në rastin tuaj, fakti se ju e doni një djalë si dhe ai ju do juve, nuk është masë e mjaftueshme për të justifikuar kaderin dhe zgjedhjen e së mirës për të cilën doni të shpërbleheni në dynja dhe ahiret. Assesi, ju mund ta doni atë në bazë të kritereve të papranuara tek Allahu dhe më pas nuk mund ta fajësoni Kaderin se ju jeni martuar me një djalë që nuk i respekton parimet e fesë së Allahut, por duhet ta fajësoni vetveten për gabimin e qëllimshëm me parime jo të shëndosha.Më konkretisht ju duhet të shikoni se a i plotëson ai djalë kriteret islame, pastaj t’ju kërkojë nga prindi juaj, pastaj të pajtoheni ju me prindërit që të fejoheni me të dhe në fund ta duash. E jo ta duash pa e konfirmuar dëshirën e prindit tuaj si dhe gatishmërinë e tij për t’ju kërkuar.
Fjalia “nuk jemi në lidhje” disi më duket e pakuptueshme, sepse nuk po mund ta pranoj faktin se ju e doni dhe ta dini se edhe ai ju do juve duke mos ekzistuar lidhje në mes jush! Ju mund të keni lidhje jodirekte, por ato në fakt në një mënyrë apo tjetër ekzistojnë. Kështu pra, keni frikë Allahun e mos u thelloni në dashuri, në etapën e fundit, duke mos i kapërcyer etapat e para. E gjithë kjo pasi ta kuptoni se ai është djalë i mirë, mysliman i mirë, i sjellshëm, i moralshëm etj.
Allahu më së miri e di!
Muhamed Dërmaku

A është haram mbajtja e dietës në Islam?

Përgjigje:
Jo, nuk është haram mbajtja e dietës, përveç nëse shkakton çrregullime dhe destabilizim të shëndetit tek personi që mban dietë. Për të mos ardhur deri te ndonjë sëmundje  e padëshiruar si rezultat i dietës, duhet përcjellë dietat që përshkruhen nga njerëz kompetentë dhe të tillat dieta lejohen.
Allahu e di më së miri!
 Muhamed Dërmaku

A ben tė qesin lule mbi varr?

Vendosja e luleve mbi varr, qofshin ato të gjalla apo të plastikës nuk është traditë islame dhe nuk rrjedh nga muslimanët, por është e importuar nga mosbesimtarët gjë kjo që nuk lejohet imitimi i tyre në respektimin e të vdekurit. Pra vendosja e luleve mbi varr është bidat dhe numërohet haram.
Në koleksionin e Buhariut dhe atë të Muslimit, që kanë përmbledhur hadithe të dërguarit Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, transmetojnë nga Ibën Abbasi rastin se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kaloi pranë dy varreve dhe tha se të varrosurit në to po dënohen dhe atë jo për ndonjë gjë që e kishin vështirë ta kryenin; njëri – tha ai, nuk ruhej prej papastërtisë gjatë urinimit, ndërsa tjetri merrej me bartje të fjalëve me qëllime negative. Pastaj e mori një degë të njomë, e theu në dysh dhe i mbolli në të dy varret. Të pranishmit e pyeten: përse veprove kështu o i dërguar i Allahut? Ai tha: “Ndoshta derisa janë të njoma do të ndihmojnë në lehtësimin e dënimit të atyre dyve.”
Nga kjo ngjarje dhe nga ky veprim i të dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk guxojmë assesi ta ndërtojmë mendimin se vendosja e luleve të gjalla, të njoma etj. (e lëre më ato të plastikës) është e lejuar e aq më pak të llogaritet se është sunet një gjë e tillë. Assesi, sepse kjo ishte specifikë e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, pasi atij iu bë e ditur përmes shpalljes gjendja e atyre dy njerëzve në varr, që nuk kishte mundësi ai vet ta dijë dhe me atë rast ka vepruar me diç të posaçme për t’i vënë theksin atyre dy mëkateve që pakkush ua vë veshin, ndërsa ato mund ta shkaktojnë dënimin qysh në varr, pra mos-ruajtja nga stërpikat e urinës dhe bartja e fjalëve – nemimja. Përndryshe as vet i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk e ka vepruar në raste të tjera dhe as sahabët nuk e kanë praktikuar një gjë të tillë.
Kështu, vendosja e luleve mbi varr e në theks të veçantë e kurorave nga lulet e plastikës në shenjë nderimi ndaj të vdekurit, është traditë e huaja që aspak nuk i lejohet muslimanëve ta pasojnë.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku

Jam betuar se do ta lë duhanin…

Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me ju te nderuar. Më duhet ndihma e juaj të më këshilloni se nuk po gjejë qetësi shpirtrore, para 2 viteve jam betu se do ta la duhanin për hirë të Allahut, po nuk po mundem po bëj përpjekje, po e kot, si të veproi që të më fal Zoti për këtë betim që nuk jam përmbajtur
Si të veproi duhani mu ka ba shok në një mënyrë. Ju faleminderit.
Përgjigje:
Edhe mbi ju qoftë paqja e Allahut!
Duhani asnjëherë nuk mund të jetë shok i njeriut, pasi “mos-sinqeriteti” i duhanit është i qasshëm dhe si të tillë askush nuk do ta mbante afër, por duhani është një ves për të cilin stimulon shejtani dhe njeriu bëhet i dobët që ta mund dëshirën e shejtanit dhe pasionin e pirjes së duhanit.
Ju para dy viteve keni dalë ta mundni shejtanin dhe jeni betuar për mos ta konsumuar duhanin. Me kalimin e kohës ju është dobësuar imani dhe jeni thyer përsëri nga shejtani, i cili përkundër pendimit tënd, gjithherë të ka ndejtë mbi kokë që kur të gjen më të dobët të fiton betejën. Keni arsye të mos ndiheni e qetë, pasi si duhani, ashtu edhe shejtani të shoqëron vetëm për mëkate, kurse natën nuk të le të qetë, por të ngacmon duke të treguar se ka fituar kundër teje.
Në rastin konkret, ju duhet të vendosni me sinqeritetin më të lartë që ta braktisni duhanin edhe një herë, për të mos iu kthyer më asnjëherë. Pastaj për betimin e thyer duhet t’i ushqeni dhjetë të varfër me nga një racion mesatar të ushqimit që ju e përdorni për të dalë i pastër nga thyerja e betimit, duke e lutur Allahun që ta falë të kaluarën tënde, pra të bësh Istigfarë!
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku

Sunday, January 19, 2014

Cili musliman është më i mirë?

Allahu i Lartësuar thotë:
“Unë jam urdhëruar të jem i pari nga ata që i nënshtrohen Atij.” (Zumer, 12) 
Abdullah Ibn Amri r.a. tregon nga Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, i cili ka thënë:
“Musliman është ai i cili nuk u sjell dëm muslimanëve as me gjuhën e tij dhe as me dorën e tij dhe muhaxhir (i shpërngulur) është ai që lë gjithçka që ka ndaluar Allahu.” (Buhariu)
Ebu Musa r.a. tregon: “E pyetën të Dërguarin e Allahut salallahu alejhi ve selem:
“O i Dërguari i Allahut, Islami i kujt është më i miri?” Ai u përgjigj: “Ai prej të cilit nuk lëndohen muslimanët as nga gjuha e tij dhe as nga dora e tij.” (Buhariu)
Enesi r.a. tregon nga Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, i cili ka thënë:
“Asnjë prej jush nuk do të ketë besim (të plotë) derisa të dojë për vëllanë e tij (të fesë, muslimanin) atë që do për veten e tij.” (Buhariu)
Shpjegim: 
Besimtarit i kërkohet që t’i bindet dhe t’i nënshtrohet Allahut të Lartësuar, pra të jetë musliman i përkushtuar dhe adhurimin ta ketë të sinqertë dhe me besim e njëshmëri të pastër në Allahun.
Pa dyshim që muslimani i bindur nuk u sjell dëm të tjerëve, në veçanti muslimanëve, as me gjuhë dhe as me dorë. Si musliman i mirë ai merr në konsideratë urdhrat e Allahut dhe largohet nga çdo gjë që ka ndaluar Ai.

Dy hadithet janë shumë të qartë në paraqitjen në mënyrë shumë të thjeshtë dhe të formuluar shumë mirë të veprimit të muslimanit me dorë dhe gjuhë. Kurse hadithi i tretë kërkon nga besimtari që atë që do për vete, t’ua dëshirojë edhe të tjerëve sepse kjo është pjesë e imanit.

Dobi: 
1. Nënshtrimi ndaj Allahut është urdhër.
2. Muslimanit nuk i lejohet t’u shkaktojë dëm muslimanëve në asnjë mënyrë. Kujdes dorën dhe gjuhën!
3. Muhaxhir (i shpërngulur) është ai që lë haramet.
4. Mendo të mirën për të tjerët, ashtu si e mendon për veten.
Allahu im!
Më lehtëso nënshtrimin ndaj urdhrave të Tua, ma ruaj dorën dhe gjuhën nga gjynahet!
Ulvi Fejzullahu

Saturday, January 18, 2014

Thënie nga Omer ibën Hattabi

Kjo është bota juaj
Thotë Hasani (r.a): Kaloi Omeri (pëlqimi i All-llahut qoftë mbi të) pranë një vendi mbeturinash dhe u ndalua pranë tij. Shokët e tij sikur u sikletosën për këtë veprim. Ai, e kuptoi këtë dhe u tha: “Kjo është bota juaj, të cilën e ruani me çdo të shtrenjtë!” [1]
Hz. Omeri dhe shoqëria e mirë
Thotë Hudhejfe: Hyra tek Omeri dhe e gjeta të mërzitur. I thashë: “Çfarë halli ke o prijës i besimtarëve?” Tha: “Kam frikë se mos bie në ndonjë ndalesë dhe askush të më ndalojë nga respekti!” I thashë: “Pasha All-llahun, nëse të shohim se ke dalur nga e vërteta, do të ndalojmë!” Omeri u gëzua dhe tha: “Elhamdu lil-lah që më bëri me shokë që më drejtojnë nëse devijoj!” [2]
Xhenneti dhe xhehnemi
“Sikur të thërriste një zë nga qielli: O ju njerëz, të gjithë ju do të hyni në xhennet, përveç një njeriu, do të frikësohesha se mos isha unë ai njeri! E, po të thoshte: O ju njerëz, të gjithë ju do të hyni në xhehnem, përveç një njeriu, do të shpresoja të isha unë ai njeri” [3]
Kije frikë All-llahun, Omer!
Një njeri i tha Omerit: Kije frikë All-llahun, Omer! Këtë, ai e përsëriti shumë herë, saqë një i pranishëm i tha: Hesht, e teprove me prijësin e besimtarëve! Ndërkohë, Omeri i tha: “Lëre! Nuk ka hajr për ta po s’na e thanë dhe s’ka hajr për ne po s’e pranuam!” [4]

Tetë gjëra të dobishme/dëmshme
“Kush i le fjalët e tepërta, i jepet urtësia; kush e le shikimin e tepërt i jepet përkushtimi me zemër; kush e le ushqimin e tepërt, i jepet shija e ibadetit; kush e le të qeshurit e shumtë, i jepet pozita (respektohet); kush e le shakanë, i jepet fisnikëri; kush e le kënaqësinë e dynjasë, i jepet dashuria e Ahiretit; kush e le të përfolurit e të metave të të tjerëve, i jepet përmirësimi i të metave të veta; kush i le shpifjet në atë se si është e çfarë është Zoti, i jepet pafajësia (pastrohet ) nga nifaki – dyfytyrësia”.
__________________________________________________
[1] Naxhi dhe Ali Tantavi, “Akhbaru Omer”, botimi i 11- të, Xheddah, 1999, fq. 192.
[2] Po aty, fq. 331.
[3] Po aty, fq. 267.
[4] Po aty, fq. 267.