Trileçja është një ëmbëlsirë shumë e mirë sidomos për fëmijët.
Kjo lloj ëmbëlsire është shumë e njohur në Amerikën Latine dhe thuhet që origjinën e ka pikërisht atje, nga merr edhe emrin ‘tres leches’, ( dmth. tre lloj qumështi). Trileçja është një pandispanjë e lagur me qumësht dhe me karamel.
Përbërësit për pandispanjën
- 6 vezë
- 200 gr miell
- 200 gr sheqer
- pak vanilje pluhur
Përbërësit për kremin
- 300 gr qumësht
- 300 gr pana të freskët
- 300 gr qumësht i kondesuar ( qumësht Panda )
- pak karamel
Video Receta PER Trilece
Përgatitja
Fillojmë me përgatitjen e pandispanjës.
Ndajmë të verdhat e vezëve nga të bardhat dhe fillojmë e i rrahim këto të fundit me rrahësin elektrik.
Vazhdojmë ti rrahim derisa të arrijmë një masë të bardhë si shkumë. Në këtë pikë shtojmë me ngadalë sheqerin të përzier me vaniljen duke e trazuar gjithmonë.
Shtojmë më pas të verdhat e vezëve një e nga një e vazhdojmë ti rrahim përsëri. Pasi janë përzier mirë shtojmë miellin me kujdes që të mos bëhen kokrriza. I trazojmë mirë derisa të gjithë përbërësit të jenë bashkuar e të kenë formuar një masë homogjene. E hedhim masën e përgatitur në një tavë të lyer me gjalpë. E vendosim tavën të piqet në furrë të nxehtë 180°C përreth 25-30 minuta.
Pasi është pjekur pandispanja e lemë të ftohet pak. Më pas e nxjerrim nga tava dhe e shpojmë komplet nga të dyja anët me majën e një thike.
Në një enë hedhim qumështin dhe shtojmë ngadalë edhe qumështin panda, i trazojmë mirë bashkë derisa ky i fundit të jetë shkrirë komplet. Hedhim panën e freskët në tavën që kemi pjekur pandispanjën. Vendosim sipër pandispanjën. Hedhim mbi të përgatitjen e qumështit. Sipër shtojmë karamel ( mund të shtoni sipas dëshirës edhe çokollatë të shkrirë). Vendosim ëmbëlsirën në frigorifer për disa orë përpara se ta shërbejmë. Më pas e presim në copa katrore të vogla dhe e servirim.
Ju bëftë mirë!
0 comments:
Post a Comment